Pa batanije, duke fjetur mbi beton dhe me gardianë që i tallnin se Millosheviqi kishte fituar luftën. Kështu e përshkroi një ish-i burgosur shqiptar burgun e Lipjanit, në gjykimin për krime lufte ndaj ish-gardianit B.T.

Tridhjetë e tre ditë rresht mbi beton, pa batanije dhe pa asgjë tjetër. Kështu e përshkroi një ish-i burgosur shqiptar qëndrimin e tij në burgun e Lipjanit gjatë luftës, teksa dëshmonte të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-gardianit B.T., të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Dëshmitari, R.O., tha para gjykatës se gardianët i provokonin të burgosurit duke u thënë se lufta kishte përfunduar dhe se Sllobodan Millosheviqi kishte fituar. Sipas tij, gardianët vinin herë pas here nëpër dhoma dhe, sapo hapnin dyert, kushdo që e ngrinte kokën e pësonte keq.
R.O. pohoi gjithashtu se kur i akuzuari ose gardianë të tjerë shihnin në ndonjë dhomë një të burgosur që i njihte, qëllimisht nuk hynin aty, në mënyrë që të mos identifikoheshin prej tij.
Pjesa më e rëndë e dëshmisë lidhej me të burgosurit e sjellë nga Dubrava. Dëshmitari tha se nga dritarja e qelisë së tij kishte parë një kordon prej rreth 20 metrash, të formuar nga policë dhe gardianë, nëpër të cilin kalonin të burgosurit, ndërsa goditeshin me shufra metalike, me shkopinj druri e gome dhe me shqelma.
Aktakuza kundër B.T. është ngritur më 31 dhjetor 2025 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Sipas prokurorisë, ai, në cilësinë e gardianit në burgun e Prishtinës dhe në paralelen e Lipjanit, gjatë luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me tre ish-gardianë të tjerë të të njëjtave burgje, J.J., A.S. dhe Z.Gj., duke vepruar me dashje dhe duke shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, i kishte keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurit shqiptarë.
Prokuroria pretendon se të burgosurit ishin torturuar në mënyrë çnjerëzore me shkopinj gome, shufra metalike, shqelma e grushte, deri në alivanosje. Viktimat, sipas aktakuzës, kanë deklaruar se pas rrahjeve kishin dhimbje të mëdha trupore dhe pësuan dhunë psikike, se mbetën pa ngrënë me ditë të tëra, se jetuan në ankth e frikë dhe se u cenua rëndë dinjiteti i tyre.
Pika e dytë e aktakuzës përqendrohet te periudha nga 24 maji deri më 10 qershor 1999. Sipas prokurorisë, pasi të burgosurit u transferuan nga burgu i Dubravës në atë të Prishtinës dhe në paralelen e Lipjanit, i akuzuari dhe bashkëkryerësit formuan një kordon, i goditën, i keqtrajtuan, i lanë pa ngrënë, i fyen e i sharën dhe i kërcënuan se do t'i vrisnin të gjithë.
B.T. ngarkohet me veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ. Në seancën fillestare, më 20 janar 2026, ai u deklarua i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

