Familje nga komunitetet joshumicë në veri të Kosovës, që sipas qeverisë jetojnë në kushte të papërshtatshme banimi, do të marrin mbështetje financiare për të rinovuar shtëpitë e tyre.

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë 275 mijë euro për renovimin e shtëpive të pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.
Vendimi vjen pas kërkesave që këto familje i kanë drejtuar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Ministri i këtij resori, Elbert Krasniqi, tha se institucioni i tij ka kryer verifikime në terren dhe ka konstatuar se disa shtëpi dhe njësi banimi kanë nevojë për rinovim.
"Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka pranuar një numër kërkesash nga pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit për mbështetje financiare për renovimin e shtëpive dhe njësive të banimit. Bazuar në verifikimet e realizuara në terren është konstatuar se përballen me kushte të papërshtatshme të banimit dhe kanë nevojë për mbështetje financiare për renovimin dhe njësive të banimit me qëllim të sigurimit të kushteve të përshtatshme dhe të qëndrueshme të banimit", deklaroi Krasniqi.
Kryeministri Albin Kurti e paraqiti masën si pjesë të angazhimit të qeverisë për barazi ndërmjet të gjitha komuniteteve dhe për përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve. Sa shtëpi do të përfitojnë nga fondi nuk është bërë ende e ditur.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

