Një inspektore ushqimi në Shkup dyshohet se kërkoi dhe mori 250 euro nga drejtuesi i një kompanie, në këmbim të një procesverbali që do ta shpallte objektin pa asnjë parregullsi. Prokuroria kërkon paraburgim.

Për 250 euro, një inspektore ushqimi dyshohet se ishte gati të shkruante në procesverbal se një objekt i kishte respektuar të gjitha rregullat. Tani prokuroria në Shkup kërkon që ajo të mbahet në paraburgim.
Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj një 42-vjeçareje, të punësuar si inspektore ushqimi në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Ajo dyshohet për veprën penale "Marrje ryshfeti", sipas nenit 357, paragrafi 1 i Kodit Penal. Sipas prokurorisë, nga 17 deri më 25 shtator ajo ka kërkuar dhe ka pranuar paratë nga drejtuesi i një personi juridik.
Çka duhej të jepte ajo në shkëmbim e përshkruan vetë prokuroria: "Në këmbim, ajo duhej të përgatiste një procesverbal ku do të konstatonte se kishte kryer mbikëqyrje inspektuese dhe se nuk kishte parregullsi në punën e objektit, përkatësisht se ai i kishte respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për punë."
Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozimin për paraburgim, duke përmendur tri arsye: rrezikun e arratisjes, mundësinë që e dyshuara të ndikojë te i dëmtuari dhe në dëshminë e tij, si dhe mundësinë që, duke shfrytëzuar pozitën e saj si inspektore, ta përsërisë veprën. Nuk dihet ende nëse gjykata e ka miratuar kërkesën.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

