Dhjetë policë, 17 të dyshuar si banditë dhe dy civilë u vranë në një përleshje të ashpër në shtetin Kebbi të Nigerisë veriperëndimore, ku forcat e rendit u përballën me një grup të armatosur rëndë.

Një kolonë prej rreth 240 banditësh të armatosur, të hipur në më shumë se 200 motoçikleta, u përplas të hënën me policinë në shtetin Kebbi të Nigerisë veriperëndimore, në një përleshje që la të paktën 29 të vdekur.
Sipas policisë nigeriane, në shkëmbimin e zjarrit u vranë 10 policë, 17 të dyshuar si banditë dhe dy civilë. Dy policë të tjerë u plagosën dhe po marrin trajtim mjekësor.
"Për fat të keq, humbëm 10 pjesëtarë trima të policisë gjatë përballjes, ndërsa dy të tjerë u plagosën dhe po marrin trajtim mjekësor", tha zëdhënësi i policisë, Bashir Usman, për agjencinë AFP. Ai theksoi se shifrat përfundimtare janë ende në vlerësim.
Incidenti ndodhi të hënën, ndërsa grupi i të dyshuarve si banditë po lëvizte nga shteti Zamfara drejt Kebbit. Policia bëri të ditur për ngjarjen të martën.
Kebbi, sikurse shtete të tjera në veriperëndim dhe në qendër të vendit, prej kohësh vuan nga bandat e armatosura kriminale që merren me vjedhjen e bagëtive dhe rrëmbime për shpërblim. Veriperëndimi i Nigerisë ka një histori të gjatë pasigurie, ku grupe të armatosura kryejnë rrëmbime dhe grabisin blegtorinë.
Muajin e kaluar, të paktën 20 persona u vranë kur banditë sulmuan fshatra në Zamfara. Sipas një raporti të Institutit të Kombeve të Bashkuara për Kërkime mbi Çarmatimin, të publikuar në mars, dhuna në Katsina, Sokoto dhe Zamfara ka shpërngulur më shumë se gjysmë milioni njerëz.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

