Prej muajsh, rubinetat në rrugën "Sefedin Laqi" në Prizren rrjedhin vetëm rreth dy orë, e pastaj thahen deri në një ditë e gjysmë. Sot banorët dolën para Hidroregjionit Jugor dhe paralajmëruan se do të kthehen nëse uji nuk vjen.

Dy orë ujë, pastaj deri në 36 orë me rubineta të thata. Kështu e përshkruajnë banorët e rrugës "Sefedin Laqi" në Prizren jetën e tyre të përditshme prej muajsh. Sot ata protestuan para kompanisë Hidroregjioni Jugor, duke kërkuar fund të mungesës së vazhdueshme të ujit të pijshëm.
"Ka vite që kemi problem me furnizimin me ujë në këtë zonë. Kjo është shumë shqetësuese për ne", tha njëri prej protestuesve.
Pas protestës, banorët u ulën në takim me përgjegjësit e kompanisë dhe publikuan pamje nga ai takim. Sipas tyre, atje u është thënë se punimet për zgjidhjen e problemit pritet të përfundojnë deri të premten.
Banorët nuk duken të bindur. Ata thonë se ankesat dhe takimet me kompaninë kanë qenë të vazhdueshme, por uji ende nuk vjen rregullisht. Pikëpyetje ngrenë edhe për shkakun: fillimisht, sipas tyre, u është thënë se bëhet fjalë për një defekt, ndërsa vetë ata pretendojnë se problemi lidhet me ndërrimin e linjës së ujësjellësit dhe me ndikimin që kjo ka pasur në furnizimin e banesave në zonë. Qëndrimi i kompanisë për këtë pretendim nuk është bërë publik.
Banorët u bënë thirrje institucioneve dhe kompanisë përgjegjëse të veprojnë sa më shpejt për normalizimin e furnizimit, duke theksuar se mungesa e ujit po u krijon vështirësi të mëdha në jetën e përditshme. Nëse afati i së premtes kalon pa zgjidhje, paralajmërojnë ata, do të dalin sërish në protestë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

