Një tarifë ditore prej 2 eurosh për çdo qytetar që lëviz me veturë brenda unazës së brendshme të Prishtinës pa qenë banor i asaj zone. Kështu e përshkruan opozita në Kuvendin Komunal propozimin e ri tarifor, që pritet të dalë në votim më 17 shtator.

Një banor i Kodrës së Trimave që niset me veturë drejt Dardanisë, duke kaluar pranë Xhamisë së Llapit, Qafës, rrugës "Luan Haradinaj" dhe Lakrishtes, do të duhej të nxirrte nga xhepi 2 euro për atë ditë. Ky është skenari me të cilin shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka ilustruar atë që e quan propozim të ri tarifor të qeverisjes së kryetarit Përparim Rama.
Në një postim në Facebook, Sveçla pretendon se e njëjta tarifë do të zbatohej edhe për banorët e lagjeve të tjera që hyjnë me automjet në zonat brenda unazës së brendshme të kryeqytetit, pa qenë rezidentë atje. Sipas tij, çdo qytetar që kalon me veturë nëpër këto lagje, pa pasur banim në to, do të paguante 2 euro në ditë për të lëvizur në atë pjesë të qytetit.
Sipas asamblistit të Vetëvendosjes, kjo është vetëm njëra nga tarifat e reja të propozuara nga qeverisja komunale, për të cilat pritet të votohet në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës më 17 shtator.
Paraprakisht, Komuna e Prishtinës kishte publikuar konsultimin publik për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve në komunë. Nga ana e kryetarit Rama dhe e ekzekutivit komunal nuk ka ende një reagim publik ndaj pretendimeve të opozitës për tarifën ditore prej 2 eurosh.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

