Policia e Kosovës sekuestroi gjatë vitit 2025 qindra armë më shumë se një vit më parë, ndërsa vrasjet vazhdojnë të ngrenë alarm. Njohësit e sigurisë kërkojnë amnisti që qytetarët t'i dorëzojnë armët pa frikë ndjekjeje.

Një mijë e nëntëqind e tridhjetë e një armë dhe mbi 39 mijë fishekë: kaq u konfiskuan nga Policia e Kosovës vetëm gjatë vitit 2025. Shifra është më e lartë se ajo e vitit paraprak, kur policia mori nga duart e qytetarëve 1746 armë dhe mbi 33 mijë fishekë.
Rritja e numrit të armëve të sekuestruara vjen në një kohë kur dhuna me pasoja fatale mbetet shqetësim i hapur. Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, në Kosovë janë evidentuar 17 raste vrasjesh.
Problemi nuk kufizohet te armët pa leje. Sipas statistikave, në vend ekziston edhe një numër i konsiderueshëm armësh legale, ndërsa hulumtimet e publikuara vitin e kaluar tregojnë se brenda një viti në Kosovë hyjnë rreth 1.300 armë të reja.
Përballë këtij rreziku, njohës të çështjeve të sigurisë shohin te amnistia një rrugë për t'i bindur qytetarët që t'i dorëzojnë vetë armët ilegale. Një prej tyre e sheh këtë masë si zgjidhje që heq frikën nga ndjekja penale dhe propozon që ajo të shoqërohet edhe me nxitje: "Amnistia nganjëherë është shpëtim, sepse nuk ka ndjekje për ata persona që i dorëzojnë armët. Do të duhej që këta persona edhe të stimuloheshin".
Një sociolog e vendos problemin në një kontekst më të gjerë shoqëror, duke paralajmëruar për prirjen e individëve dhe të palëve të ndryshme për t'i zgjidhur mosmarrëveshjet jashtë institucioneve. "Shumica e individëve dhe palëve në këtë kontekst po mundohen t’i zgjidhin [konfliktet] duke marrë ligjin në duart e tyre", tha ai.
Ligji, nga ana e tij, nuk është i butë. Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh gjobë deri në 7500 euro dhe burgim nga një deri në tetë vjet për këdo që në mënyrë të kundërligjshme importon, eksporton, blen, furnizon, transporton, prodhon ose shet armë, apo ndërmjetëson në tregtimin e tyre. Kur vepra përfshin më shumë se katër armë ose 400 fishekë, dënimi rëndohet: nga një deri në dhjetë vjet burgim.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

