Ndërsa programi amerikan i strehimit të refugjatëve mbetet praktikisht i mbyllur për shumicën e njerëzve që ikin nga persekutimi, administrata Trump planifikon të presë deri në 17.500 afrikanerë të bardhë nga Afrika e Jugut brenda 12 muajve, me një kosto të parashikuar prej 500 milionë dollarësh.

Një njoftim i dërguar të martën Kongresit amerikan përcakton një përjashtim të rrallë në një program që për pjesën tjetër të botës është bllokuar: deri në 17.500 afrikanerë të bardhë nga Afrika e Jugut do të pranohen si refugjatë në Shtetet e Bashkuara gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Sipas Departamentit të Shtetit, i cili ua bëri të ditur planin zyrtarëve në Kongres, 17.500 vendet e parashikuara për vitin fiskal 2027, që nis në tetor, do të shkojnë "primarily" (kryesisht) për afrikanerët, pakicën etnike të përbërë nga pasardhës të kolonëve evropianë, kryesisht nga Holanda.
Kostoja e përpjekjes për rivendosjen e afrikanerëve parashikohet të arrijë në 500 milionë dollarë për buxhetin amerikan, thuhet në njoftimin drejtuar Kongresit.
Arsyetimi i paraqitur nga Departamenti i Shtetit është i drejtpërdrejtë: "Afrikanerët përballen me konfiskimin e pronës bujqësore pa kompensim; me politika qeveritare të krijuara për të shkatërruar mundësitë e barabarta në punësim, arsim dhe biznes; dhe me retorikë urrejtjeje që ushqen dhunë joproporcionale kundër pakicave të disfavorizuara racialisht". Në të njëjtin dokument shkruhet gjithashtu: "Shtetet e Bashkuara presin që afrikanerët nga Afrika e Jugut të asimilohen plotësisht në Shtetet e Bashkuara në një mënyrë që ruan burimet e taksapaguesve për qytetarët amerikanë dhe nuk presin që vende të tjera t'i rivendosin afrikanerët".
Administrata e dytë e presidentit Donald Trump e ka mbyllur në praktikë programin amerikan të rivendosjes së refugjatëve për shumicën e njerëzve që ikin nga persekutimi dhe dhuna anembanë botës, por ka bërë një përjashtim për afrikanerët, duke rivendosur mijëra prej tyre gjatë një viti e gjysmë të fundit.
Presidenti Trump ka pretenduar se afrikanerët po shtypen për shkak se janë të bardhë dhe se përballen me një "genocide" (gjenocid) në Afrikën e Jugut. Vitin e kaluar, në një takim të tensionuar në Zyrën Ovale, ai i doli përballë presidentit jugafrikan Cyril Ramaphosa mbi këto pretendime, duke i shfaqur një video që nxirrte në pah vrasje fermerësh në atë vend. Qeveria e Afrikës së Jugut ka mohuar vazhdimisht se persekuton këtë pakicë etnike.
Pretendimet për gjenocid janë kundërshtuar fuqishëm. Një reportazh i programit "60 Minutes", i transmetuar më herët këtë vit, paraqiti afrikanerë që hidhnin poshtë idenë se njerëzit e bardhë përballen me një "gjenocid", duke thënë se vrasjet nëpër ferma lidhen me një problem më të gjerë kriminaliteti në Afrikën e Jugut, i cili dëmton pjesëtarë të të gjitha racave.
Vendimi vjen pas një përshkallëzimi tjetër: javën e kaluar Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj zyrtarëve jugafrikanë, të cilët, sipas Uashingtonit, janë përgjegjës për diskriminim ndaj afrikanerëve.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

