Një 39-vjeçar nga Tirana u kap në flagrancë në fshatin Alijaj të Shkodrës, duke transportuar me pagesë 16 emigrantë nga Afganistani, Somalia dhe Bangladeshi drejt kufirit me Malin e Zi, sipas policisë.

Një automjet i marrë me qira, gjashtëmbëdhjetë emigrantë brenda tij dhe një destinacion i vetëm: territori i Malit të Zi, i arritur në mënyrë të paligjshme. Rrugëtimi u ndal në fshatin Alijaj të Shkodrës, ku shërbimet e Policisë Kufitare kapën në flagrancë shoferin.
Sipas Policisë së Shtetit, i arrestuari është shtetasi me inicialet B. L., 39 vjeç, banues në Tiranë. Ai dyshohet se i transportonte emigrantët kundrejt pagesës, duke i ndihmuar të kalonin kufirin ilegalisht.
Grupi përbëhej nga shtetas të vendeve të treta: nëntë prej tyre nga Afganistani, pesë nga Somalia dhe dy nga Bangladeshi.
Arrestimi erdhi si rezultat i operacionit të koduar "Transit", të organizuar dhe finalizuar nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) Shkodër. Sipas policisë, operacioni u ngrit në kuadër të kontrolleve intensive kundër veprimtarisë së dhënies së ndihmës emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Materialet procedurale për rastin iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila do të vendosë për veprimet e mëtejshme ndaj të dyshuarit.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

