Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë 144 mijë euro për deputetët e Kuvendit të sapokonstituuar dhe, në të njëjtën kohë, ka pezulluar Partinë e Ashkalinjëve për Integrim, e cila rrezikon çregjistrimin nëse nuk e mban kuvendin zgjedhor brenda 45 ditësh.

Deputetët e Kuvendit të sapokonstituuar të Kosovës kanë marrë gjithsej 144 mijë euro nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike, ndërsa një parti politike e vogël është vënë përballë rrezikut për t'u fshirë nga regjistri i partive.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka ndarë 10 për qind të mjeteve financiare nga ky fond, për periudhën nga 13 shtatori deri më 31 dhjetor. Sipas njoftimit të KQZ-së, paratë u janë ndarë deputetëve "me qëllim të financimit të aktiviteteve dhe punës së secilit deputet".
Në të njëjtin njoftim, KQZ-ja ka bërë të ditur edhe vendimin për pezullimin e Partisë së Ashkalinjëve për Integrim (PAI), për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor brenda afatit ligjor.
"KQZ-ja po ashtu ka pezulluar partinë politike Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), pasi nuk e ka mbajtur kuvendin zgjedhor brenda afateve të parapara. PAI, e regjistruar më 5 nëntor 2010, ka qenë e obliguar që kuvendin e radhës ta mbajë deri më 11 shtator 2026 dhe për këtë është njoftuar disa herë nga Zyra", thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Vendimi i lë partisë një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur konventën, përkatësisht kuvendin e saj zgjedhor. Nëse ky obligim nuk përmbushet brenda afatit, PAI do të çregjistrohet nga regjistri i partive politike në Kosovë.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

