Një shtëpi në fshatin Rimanishtë të Prishtinës u shndërrua në laborator të improvizuar për tharjen dhe paketimin e marihuanës. Policia i kapi në flagrancë, kur po kërkonte një person tjetër me urdhër gjykate.

Policia mbërriti në fshatin Rimanishtë të Prishtinës më 9 shtator 2025 për një arsye tjetër: zbatimin e një urdhri gjyqësor për kërkimin e Ylber Sylës, që kërkohej për vepra të tjera penale. Në oborrin e shtëpisë dhe në objektet përcjellëse, në vend të tij, policët hasën në një grup personash që po paketonin marihuanë të gatshme për shitje.
Pas sekuestrimit dhe matjes, sasia rezultoi 142 kilogramë e 374 gramë. Ekspertiza e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë konfirmoi se substanca përmbante THC dhe se bëhej fjalë për kanabis.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, i ka shpallur fajtorë gjashtë persona për përfshirje në prodhimin dhe përpunimin e drogës. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Sulltane Hoti, me anëtarët Altin Murseli dhe Fatime Dërmaku, shqiptoi dënime që së bashku arrijnë tetë vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë.
Sipas vendimit, Kastriot Ahmeti u dënua me dy vjet e gjashtë muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë, ndërsa Ermal Syla me dy vjet e gjashtë muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Vera Hallulli, Flutura Farici, Mimoza Hoti dhe Sadie Visha Hasanaj u dënuan secila me nëntë muaj burgim dhe 500 euro gjobë. Në dënimet u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 9 shtatori 2025 deri më 4 qershor 2026.
Të katër të dënuarat janë shtetase të Shqipërisë. Pas përfundimit të dënimit do të dëbohen nga Kosova dhe për tre vjet nuk do të lejohen të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Sipas aktgjykimit, veprimtaria ishte zhvilluar nga maji deri më 9 shtator 2025, në një shtëpi që i përkiste familjes Syla. Prokuroria pretendoi se të përfshirët kishin ndarë paraprakisht rolet. Fatmir Dodaj, i dënuar më herët pas marrëveshjes për pranimin e fajësisë, ishte angazhuar të gjente persona që do të merreshin me përpunimin dhe përgatitjen e marihuanës për shitje. Punëtorëve të sjellë nga Shqipëria u ishte premtuar pagesë prej 50 eurosh në ditë. Gjykata konstatoi se Ahmeti kishte marrë me qira një veturë "Opel Astra" dhe kishte transportuar personat nga pika e takimit deri te shtëpia ku kultivohej dhe përpunohej marihuana.
Në mbrojtjen e tyre, të katër të akuzuarat nga Shqipëria deklaruan se kishin ardhur në Kosovë duke besuar se do të punonin në përpunimin e sherebelës, bimë mjekësore aromatike që përdoret për çaj dhe në gatim. Mimoza Hoti tha se punën i kishte ofruar një grua e njohur me pseudonimin "Monda".
Aktakuza fillestare kishte përfshirë edhe Ylber Sylën, Hamza Tahirin dhe Majlinda Xhekën, të cilët pranuan fajësinë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

