Trembëdhjetë vjet pas vrasjes së doganierit lituanez të EULEX-it, Audrius Senavicius, në veri të Kosovës, autorët mbeten të paidentifikuar. Shefi i misionit, Antero Lopes, u bën thirrje publikisht atyre që dinë diçka të flasin, ndërsa shpërblimi prej 82 mijë eurosh mbetet i pashfrytëzuar.

Një vrasje e kryer në rrethinën e Zveçanit më 19 shtator 2013 vazhdon të mbetet pa përgjigje. Doganieri lituanez i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Audrius Senavicius, u vra teksa ishte në detyrë në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Trembëdhjetë vjet më vonë, autori apo autorët nuk janë identifikuar.
Me rastin e 13-vjetorit, Bashkimi Evropian ka kërkuar sërish drejtësi për rastin. Shefi i EULEX-it, Antero Lopes, mori pjesë të shtunën në ceremoninë përkujtimore dhe përsëriti thirrjen publike drejtuar kujtdo që mund të ketë dijeni për ngjarjen.
"E ripërsëris edhe një herë apelin e EULEX-it: nëse dikush ka informacione që mund të ndihmojnë hetimet e Policisë së Kosovës, ju lutem të dilni dhe t'i ndani ato. Le ta kujtojmë Senaviciusin dhe sakrificën e tij", shkroi Lopes.
Në postimin e tij, Lopes u shpreh: "Të shtunën pata privilegjin të përkujtoj 13-vjetorin e vdekjes tragjike të zyrtarit doganor lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius, i cili u vra në krye të detyrës më 19 shtator 2013."
Hetimet për rastin zhvillohen nga Policia e Kosovës. EULEX-i kishte vendosur një shpërblim prej 82 mijë eurosh për çdo informacion që mund të ndihmojë në identifikimin, arrestimin dhe ndëshkimin e autorit apo autorëve të vrasjes, një shumë që pas trembëdhjetë vjetësh ende nuk ka dhënë rezultat.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

