Aktivisti palestinez Mahmoud Khalil, i arrestuar nga agjentët e imigracionit në banesën e tij në kampus, akuzon Universitetin Columbia se "indiferenca e qëllimshme" e institucionit çoi në zbulimin e të dhënave personale të aktivistëve dhe në ndalimin e tij.

Mahmoud Khalil, aktivist palestinez dhe ish-student i pasuniversitar i Universitetit Columbia, ka çuar në gjykatë institucionin që e priti si student. Padia civile për të drejtat e njeriut, e depozituar të hënën në gjykatën federale në New York, pretendon se universiteti nuk reagoi ndaj ngacmimeve kundër tij dhe anëtarëve të tjerë të një grupi propalestinez në kampus, dhe se u hakmor ndaj tyre pasi ata raportuan atë që po ndodhte.
Sipas padisë, "indiferenca e qëllimshme" e universitetit çoi në publikimin e të dhënave personale të disa anëtarëve të grupit, praktika e njohur si doxing, dhe në ndalimin e Khalilit nga agjentët e imigracionit.
Khalil u bë figurë e njohur publike si zëdhënës i studentëve aktivistë që protestonin kundër veprimeve të Izraelit në Gaza. Në mars 2025, agjentët e Zyrës amerikane të Imigracionit dhe Doganave (ICE) e arrestuan në banesën e tij në kampus, dhe ai u shndërrua me shpejtësi në fytyrën e masave të administratës Trump ndaj demonstruesve propalestinezë.
Pasoi një paraburgim i gjatë: 104 ditë në një qendër ndalimi për imigrantë në Luizianë. Gjatë kësaj periudhe, Khalil humbi lindjen e fëmijës së tij të parë. Lirimi i tij u urdhërua nga një gjykatës federal në New Jersey. Çështja e deportimit të tij mbetet e hapur.
Padia pretendon se, ndërkohë që Khalil ndodhej në ndalim, Columbia "refuzoi të korrigjonte dezinformatat" për të, "duke lejuar që një narrativë e rreme për sjelljen dhe rolin e tij të vazhdonte dhe duke mundësuar më tej ngacmimin mes bashkëmoshatarëve ndaj studentëve të tjerë palestinezë dhe studentëve që perceptohen si me prejardhje arabe dhe/ose muslimane".
Në vend që të hetonte raportimet për ngacmime, thuhet në padi, universiteti u hakmor duke i cilësuar aktivitetet e grupit propalestinez në kampus si rreziqe sigurie dhe duke rishikuar politikën disiplinore në mënyrë që të targetonte kritikat ndaj qeverisë izraelite.
Dokumenti akuzon Columbia për shkelje të të drejtave civile dhe kërkon nga gjykata një urdhër që Khalilit t'i rikthehet aksesi në kampus dhe që t'i hiqet pezullimi grupit palestinez. Kërkohen edhe dëmshpërblime "që do të përcaktohen në gjyq". Bashkë me Khalilin, si paditës figurojnë grupi propalestinez dhe presidenti i tij, Mohammad Zubairi.
Universiteti nuk pranoi të komentojë padinë, por në një deklaratë me shkrim theksoi se "krijimi i një ambienti në kampus ku secili anëtar i komunitetit tonë ndihet i mirëpritur, i mbështetur dhe i sigurt është themelore për atë që jemi si Universitet". Në të njëjtën deklaratë shtohet: "Columbia është e angazhuar për të mbrojtur komunitetin tonë nga diskriminimi dhe ngacmimi, dhe për t'iu përgjigjur menjëherë dhe në mënyrën e duhur kur shfaqen shqetësime".
Kjo nuk është përplasja e parë ligjore e Khalilit me universitetin. Vitin e kaluar ai paditi Columbia për të bllokuar dorëzimin e të dhënave të studentëve një komisioni kongresional.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

