Mali i Zi ndaloi në doganë 103 tonë mish viçi të ngrirë me afat të skaduar, i cili sipas autoriteteve malazeze shkonte për Kosovë. Në Prishtinë, asnjë institucion nuk thotë nëse importi nga Brazili do të pezullohet, ndonëse BE-ja e ka ndaluar që nga 3 shtatori.

Njëqind e tre tonë mish viçi i ngrirë, me afat përdorimi të skaduar, u ndalën javën e kaluar në një pikë doganore të Malit të Zi. Sipas autoriteteve malazeze, ngarkesa kishte si destinacion Kosovën, ku pritej nga një kompani vendore.
Rasti ka nxjerrë në pah një pyetje që në Kosovë ende nuk ka përgjigje: sa i kontrolluar është mishi që hyn në vend, sidomos ai nga Brazili. Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetës KOHA nëse do të pezullohet importi i mishit brazilian dhe çfarë masash janë marrë pas zbulimit të ngarkesës.
Heshtje ka edhe nga organet e ndjekjes. Prokuroria dhe Policia u pyetën nëse rasti po hetohet dhe nëse po merren masa ndaj personave që merreshin me pajisje për falsifikimin e etiketave me datat e skadimit. Deri në publikim, nuk kishin kthyer përgjigje. Nuk dihet as nëse ndonjë person është marrë në pyetje lidhur me ngarkesën.
Kosova mbetet ndër vendet që nuk kanë vendosur për pezullimin e importit nga Brazili. Bashkimi Evropian e ka ndaluar që nga 3 shtatori hyrjen në tregun e tij të mishit të gjedhit, të shpendëve dhe të produkteve të tjera me origjinë shtazore nga ky vend, ndërsa disa shtete të rajonit kanë ndjekur të njëjtën rrugë.
Si vend jo anëtar, Kosova nuk detyrohet t'i zbatojë automatikisht vendimet e Brukselit. Megjithatë, përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ajo është zotuar të përafrojë gradualisht legjislacionin dhe standardet e saj me ato evropiane, përfshirë sigurinë ushqimore, veterinarinë dhe kontrollin e produkteve shtazore. Në raportin e vitit 2025 për Kosovën, Komisioni Evropian kërkoi hapa konkretë në këtë drejtim: "Të fillojë puna për harmonizimin dhe miratimin e legjislacionit në fushën e politikës fitosanitare, në përputhje me acquis-in e BE-së".
Shifrat tregojnë peshën e këtij tregu. Sipas Doganës së Kosovës, vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti, Kosova ka importuar nga Brazili mish gjedhi dhe shpendësh në vlerë mbi 50 milionë euro.
Për drejtorin e Qendrës "Alert", Granit Sokolaj, problemi është më i vjetër se ngarkesa e ndaluar. Sipas tij, Kosova ka importuar historikisht mish edhe nga stabilimente që nuk janë të miratuara nga Bashkimi Evropian. "Në fakt, Kosova është shumë prapa me proceset e integrimit dhe, siç duket, nuk e ka në prioritet që t’i zbatojë ato vendime që merr Bashkimi Evropian, ashtu siç ka vepruar edhe Shqipëria. Për pasojë, sigurisht që janë të rrezikuar edhe konsumatorët. Por duhet të dimë diçka: Kosova është shumë më herët e rrezikuar nga mishi i Brazilit sesa Bashkimi Evropian apo Shqipëria, sepse historikisht Kosova ka marrë mish nga Brazili, edhe nga stabilimente të pamiratuara nga Bashkimi Evropian. Kjo është e çuditshme dhe përbën një rrezik të madh për shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës", tha Sokolaj.
Institucionet kosovare kanë reaguar më parë ndaj mishit brazilian. Në maj të vitit 2025, Kosova ndaloi përkohësisht mishin e pulës dhe produktet e tjera të shpendëve nga Brazili, pasi autoritetet braziliane konfirmuan shpërthimin e gripit të shpendëve në një fermë. Për një ndalim më të gjerë, si ai i BE-së, vendimi ende nuk ka ardhur.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

