Ministria e Mbrojtjes njofton 16 vatra zjarri të regjistruara në të gjithë vendin deri në orën 14:00 të 21 gushtit; beteja më e nxehtë vijon në Dukat të Vlorës, ku flakët u përhapën gjatë natës drejt malit.

Zjarret vijojnë të mbajnë të angazhuara forcat emergjente në disa qarqe të Shqipërisë. Deri në orën 14:00 të 21 gushtit, Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se në të gjithë vendin janë regjistruar 16 vatra zjarri, nga të cilat 10 vijojnë të jenë aktive dhe 2 janë nën mbikëqyrje.
Për të përballuar situatën janë vënë në terren 240 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore, të cilat operojnë krahas zjarrfikësve, Shërbimit Pyjor, bashkive, policisë dhe vullnetarëve.
Situata më e tensionuar mbetet në Dukat të Vlorës, në zonën e Shatës, ku zjarri u përhap gjatë natës në drejtim të malit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, banesat nuk janë në rrezik, ndërsa në ndërhyrje po përdoren dy avionë Air Tractor.
Në Gojan–Gjegjan të Pukës situata paraqitet e qetë dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat. Mjetet janë pozicionuar në zonat ku ekziston rreziku i riaktivizimit, ndërsa operacionet vijojnë me forcat e MZSH-së, Shërbimit Pyjor, bashkisë, vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura.
Në Mal Milot të Kurbinit vazhdon puna për shuarjen e zjarrit në pyllin me pisha, me mbështetje ajrore nga një helikopter. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat. Ndërkaq, në Dajt të Tiranës po punohet për izolimin e vatrave të mbetura; një pjesë e tyre është izoluar plotësisht dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes njofton se në vatrat e tjera vijon ndërhyrja dhe monitorimi, për të mbajtur nën kontroll situatën dhe parandaluar riaktivizimet. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek situatën në të gjithë territorin në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, ndërsa kapacitetet operacionale mbeten në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

