Sulmet ruse gjatë korrikut dhe fillimit të gushtit shkatërruan rreth 10 milionë libra dhe një pjesë të madhe të kapacitetit botues të Ukrainës. Instituti i Librit Ukrainas u bën thirrje botuesve ndërkombëtarë për ndihmë.

Rreth 10 milionë libra u kthyen në hi brenda pak javësh. Sulmet ruse në korrik dhe në fillim të gushtit goditën depo, shtypshkronja dhe qendra logjistike botuese në Ukrainë, duke shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të kapacitetit prodhues të vendit dhe duke vënë disa kompani përballë rrezikut të kolapsit financiar.
Instituti i Librit Ukrainas i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të botimit që të mbështesë botuesit ukrainas. Sipas institutit, dëmet janë aq të mëdha sa kërcënojnë vetë ekzistencën e sektorit. "Në këtë fazë, ne përballemi me rrezikun e shembjes së të gjithë ekosistemit të librit", tha Oleksandra Koval, drejtore e Institutit të Librit Ukrainas.
Goditja më e rëndë erdhi më 1 gusht, kur një sulm i madh preku depot e grupit botues RNK-Ranok në Harkiv, duke shkatërruar rreth 8 milionë libra. Kësaj i paraprinë sulmet e korrikut në Kiev, ku u humbën më shumë se 1,5 milionë libra të tjerë. Në total, sipas institutit, sulmet e fundit kanë asgjësuar rreth 30 për qind të vëllimit të librave që prodhohen çdo vit në Ukrainë.
Qendra logjistike e RNK-Ranok, që ruan librat për shtëpitë e shumta botuese të kompanisë, është edhe qendra e shpërndarjes për rrjetin kombëtar të librarive KnyhoLand, i cili operon 51 dyqane dhe disa faqe interneti. Përveç rreth 8 milionë librave, u shkatërruan edhe 600 mijë tekste shkollore. Dëmi total është vlerësuar paraprakisht në gati 1 miliard hryvnia (rreth 16,5 milionë funte).
Sulmet nuk kursyen as tregtinë e librit. Më 16 gusht, një sulm rus mbi Kievin shkaktoi një zjarr në tregun e librit Pochaina, duke shkatërruar disa rreshta tezgash, libra dhe pronën e shitësve. Tregu Pochaina, i themeluar në vitin 1997, dikur ishte një nga më të mëdhenjtë në Ukrainë, me qindra tezga dhe libra nga më shumë se 120 botues.
Instituti e cilëson industrinë e librit si me "rëndësi strategjike" për Ukrainën, si një mjet për ruajtjen dhe promovimin e kulturës kombëtare dhe për t'i dhënë zë vendit brenda dhe jashtë. "Në sfondin e përpjekjeve të vazhdueshme të Rusisë për të shkatërruar identitetin, kulturën dhe historinë ukrainase, botimi ukrainas ka një mision të veçantë", tha Olena Odynoka, zëvendësdrejtore për bashkëpunimin ndërkombëtar të institutit. "Mbështetja e botuesve ukrainas sot nuk ka të bëjë thjesht me ruajtjen e një industrie. Ka të bëjë me mbrojtjen e së drejtës së Ukrainës për të folur me zërin e vet dhe për të formuar rrëfimin e vet në botë."
Qeveria ukrainase po zhvillon programe mbështetjeje për botuesit dhe shtypshkronjat e prekura, përfshirë grante për rikthimin e pajisjeve dhe kompensim për dëmet materiale. Megjithatë, sipas institutit, humbjet e botuesve nuk mund të mbulohen plotësisht nga ndihma shtetërore.
Instituti po kërkon donacione për të mbështetur botuesit ukrainas dhe u bën thirrje kolegëve ndërkombëtarë të bashkëpunojnë me ta dhe të ndërgjegjësojnë opinionin publik për sulmet ruse ndaj kulturës ukrainase. Ai kërkoi gjithashtu ndërprerjen e çdo bashkëpunimi me botuesit dhe agjencitë letrare ruse, duke theksuar se solidariteti me botuesit ukrainas është thelbësor për ruajtjen e trashëgimisë kulturore që, sipas tij, Rusia po përpiqet "qëllimisht ta shkatërrojë".
Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe tashmë kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

